Historiku

Ligji për Komunikime Elektronike Nr.04/L-109 miratuar nga Kuvendi i Kosovës rregullon marrëdhëniet shoqërore që kanë të bëjnë me rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike, shërbimet dhe facilitetet shoqëruese, përdorimin e resurseve të komunikimeve elektronike, si dhe marrëdhënieve shoqërore që kanë të bëjnë me radio-pajisjet, pajisjet fundore dhe përputhshmërinë elektromagnetike, siguron nivel të barabartë të mbrojtjes së të drejtave për të dhënat personale, veçanërisht të drejtën e privatësisë së procesimit të të dhënave personale në sektorin e komunikimeve elektronike.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare - (më poshtë Autoriteti) është organi rregullator, i cili zbaton dhe mbikëqyrë kornizën rregullatore të përcaktuar nga ligji për Komunikime Elektronike, nga ligji për shërbimet postare, si dhe nga politikat e zhvillimit të fushës së komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, të përcaktuara nga Qeveria, bazuar në dispozitat e paragrafit 1. të nenit 6 të këtij ligji dhe paragrafit 1. të nenit 7 të këtij ligji;

Ligji për Telekomunikacion i miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe i nxjerrur nga Rregullorja e UNMIK-ut 2003/16 parasheh nevojën për ngritje në sektorin e telekomunikacionit në Kosovë përmes themelimit të një agjensioni rregullator të pavarur i cili do të jetë përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve telekomunikuese në Kosovë, ku inkurajohet pjesëmarrja e sektorit privat dhe konkurrenca në ofrimin e shërbimeve. Ky agjension do të vendosë standardet për ofruesit e shërbimeve në Kosovë dhe do të caktojë dispozitat për mbrojtjen e konsumatorit. Menjëherë pas miratimit të Ligjit, Kuvendi i Kosovës emëroi Bordin e ART dhe anëtarët e këtij bordi më 11 dhjetor 2003.

ART filloi punën zyrtarisht në Janar 2004. Gjatë punës fillestare, ART punoi në disa projekte shumë të rëndësishme të cilat përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu konkurrues i cili zhvillon shoqërinë informative në Kosovë.