PËRKUFIZIMET DHE INFORMATA LIDHUR ME SHËRBIMET POSTARE
Të dhënat e mëposhtme janë nxjerrë nga Ligji Nr. 06/L-038, për Shërbime Postare, dhe rregullativa postare,
Shërbim Postar; - nënkupton shërbimet e kryera nga ofruesi i shërbimit postar, kundrejt pagesës që përfshijnë pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e dërgesave postare në rrjetin postar kombëtar dhe ndërkombëtare;
Shërbim Universal; - një minimum i përcaktuar shërbimesh, të një cilësie të caktuar, me çmime të përballueshme, i mundshëm përherë, në të gjitha pikat e qasjes, për të gjithë shfrytëzuesit në territorin e Republikës e Kosovës;
Dërgesë Postare; - një dërgesë e adresuar në formën e saj përfundimtare që dërgohet nga ofruesi i shërbimit postar. Përveç dërgesave të korrespondencës së letrave, dërgesa postare do të quhen dhe librat, katalogët, gazetat, revistat dhe pakot postare që përmbajnë mallra me ose pa vlerë tregtare;
Shërbime të veçanta; - nënkupton shërbimet e regjistrimit të dërgesës, të sigurimit të vlerës së dërgesës, lajmërim-marrjen, posta ajrore, shërbimi ekspres, pagesa në çastin e dorëzimit, për dërgesat e thyeshme dhe delikate, si dhe ato për t'iu dorëzuar vetëm të adresuarit;
Pikë e Qasjes; - nënkupton objektet fizike, përfshirë kutitë postare të letrave të ofruara për publikun, në zyrat e ofruesit të shërbimit postar apo në vende publike apo në mjediset e biznesit për pranimin e dërgesave postare me qëllim të dorëzimit tek marrësi;
Rrjet Postar; - nënkupton të gjitha pikat e qasjes dhe resurset apo facilitetet e përdorura nga ofruesi i shërbimit universal postar për qëllimet e pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e dërgesave postare;
SHËRBIMI UNIVERSAL POSTAR
Çdo shfrytëzues ose përdorues në Republikën e Kosovës, gëzon të drejtën e shërbimit universal postar, duke përfshirë ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit universal postar, me cilësi dhe çmime të përballueshme në të gjitha pikat e qasjes, brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Shërbimi universal postar përfshin kërkesat minimale të mëposhtme:
1. pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e dërgesave postare që peshojnë deri në dy (2) kg;
2. pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e pakove postare që peshojnë deri në dhjetë (10) kg;
3. shërbimet e veçanta për dërgesat postare të regjistruara dhe dërgesat postare të siguruara;
4. pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e dërgesave postare, për personat e verbër (sekogrameve), deri në shtatë (7) kilogram, pa pagesë.
Ofruesi i shërbimit universal është i obliguar të sigurojë shërbimin universal për çdo shfrytëzues, me përjashtim të rrethanave ose kushteve gjeografike, të cilat konsiderohen të jashtëzakonshme, duke ofruar minimalisht të paktën; pesë (5) ditë në javë:
Llojet e dërgesave që bëjnë pjesë në shërbimin universal postar
Dërgesat postare që mbulojnë fushën e shërbimit universal postar janë:
1. dërgesat e korrespondencës;
2. dërgesat e regjistruara;
3. dërgesat e siguruara;
4. pakot postare, dhe
5. sekogramet.
Dërgesë e korrespondencës; - nënkupton një komunikat të formës së shkruar ose shtypur në letër ose material tjetër të përshtatshëm, e cila duhet të transportohet dhe shpërndahet në adresën e shënuar/treguar në dërgesë ose paketimin e saj nga dërguesi.
Dërgesë e thjeshtë; - dërgesa postare që me rastin e pranimit nuk lëshohet dëshmi mbi pranimin e saj, ndërsa me rastin e dorëzimit nuk kërkohet konfirmimi i dorëzimit;
Dërgesë e regjistruar; - nënkupton çdo dërgesë postare për të cilën pas pranimit, dërguesit të dërgesës i lëshohet një dëftesë, dhe që me rastin e dorëzimit kërkohet nënshkrimi i marrësit, dhe në rast të humbjes, dëmtimit ose reduktimit të përmbajtjes, kompensohet dëmi i përcaktuar sipas nenit 47, të Ligjit;
Dërgesa e siguruar; - nënkupton çdo dërgesë postare, përmbajtja e të cilës është e siguruar nga dërguesi deri në vlerën e deklaruar, në rast të humbjes, vjedhjes ose dëmtimit.
Pako postare; - nënkupton një dërgesë postare që përmban mallra me ose pa vlerë komerciale dhe/ose gjësende tjera.
Sekogrami; - nënkupton çdo dërgesë postare të destinuar për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar, të shtypur në letër ose në material të përshtatshëm ose të regjistruar në mediat elektronike përkatëse.
SHËRBIMET POSTARE
Shërbime postare; - janë shërbimet me pagesë që përfshijnë pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e dërgesave postare në rrjetin postar kombëtar dhe ndërkombëtare;
Shërbimi postar realizohet përmes disa fazave të cilat janë të ndërlidhura mes vete përmes një procesi tekniko teknologjik, dhe atë;
I. Grumbullimi - pranimi i dërgesave postare;
II. Përpunimi dhe klasifikimi i dërgesave postare;
III. Transporti i dërgesave postare;
IV. Shpërndarja apo dorëzimi i dërgesave postare.
I. GRUMBULLIMI - PRANIMI I DËRGESAVE POSTARE
Grumbullimi - pranimi i dërgesave postare është Faza I, dhe nënkupton procesin e grumbullimit dhe pranimin e dërgesave postare në pikat e qasjes.
Grumbullimi i dërgesave postare në pikat e qasjes
Grumbullimi - pranimi i dërgesave postare nga ofruesit e shërbimit postar mundë të bëhet përmes rrjetit të tij postar dhe atë në:
1. Zyrat postare;
2. Qendrat e përpunimit;
3. Pikat e vetëshërbimit;
4. Kutitë postare; dhe
5. Pajisjet ose facilitetet tjera që shërbejnë për pranimin e dërgesave postare.
Zyrë postare; - nënkupton hapësirat afariste që përdorën nga ofruesi i shërbimit universal ose nën-kontraktori i tij për të ofruar shërbime postare.
Qendra e përpunimit; - janë pika të qasjes ku organizohet pranimi, përpunimi dhe transporti i dërgesave postare.
Pikat e vetëshërbimit; - nënkuptojnë pjesë ose elemente të rrjetit postar, në të cilat ofruesi i shërbimit universal ofron shërbime postare nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit për përdoruesit.
Kutitë postare; - janë kutit postare në të cilat shfrytëzuesi i shërbimeve universale mund të dorëzojë dërgesat postare në mënyrë që operatori i shërbimit universal t'ia dërgoj marrësit.
Kutitë e përbashkëta postare; - janë kuti postare që përdoren nga ofruesi i shërbimit universal për dorëzimin dhe pranimin e dërgesave postare nga përdoruesit të vendosura larg nga zona e banuar.
Pajisjet tjera; - nënkuptohen të gjitha pajisjet ose facilitetet tjera teknike dhe teknologjike që shërbejnë për ofrimin e shërbimeve postare, si psh. automatët për shitjen e zarfeve, pullave postare, pranimin e dërgesave etj.
Kur konsiderohet një dërgesë postare e pranuar
Vendosja e një dërgese në një kuti postare të instaluar nga ofruesi i shërbimit postar është e barasvlershme me pranimin e kësaj dërgese.
Pranimi i një dërgese të thjeshtë bëhet pa patur nevojë për të konfirmuar me pranimin dhe dorëzimin e saj;
Pranimi i një dërgese të regjistruar, të pranuar në përputhje me shërbimet e veçanta, letra dhe pako të postuara dhe me vlerë të deklaruar, quhet i realizuar kur dërgesa merret në dorëzim nga ofruesi i shërbimeve, i cili, në të njëjtën kohë, i jep shfrytëzuesit të shërbimit një dokument pranimi të dërgesës postare.
Ofruesi i shërbimit postar mund të pranojë dërgesat postare me vlerë të deklaruar, sipas përcaktimeve në kushtet e përgjithshme për ofrimin e shërbimeve të veçanta. Në trafikun ndërkombëtar, vlera e deklaruar e dërgesës postare nuk mund të kalojë kufirin e përcaktuar nga vendi i arritjes.
II. PËRPUNIMI DHE KLASIFIKIMI I DËRGESAVE POSTARE
Përpunimi i dhe klasifikimi i dërgesave postare është Faza II, dhe nënkupton procesin e përpunimit të dërgesave në pikat e pranimit dhe përpunimit, dhe klasifikimin e tyre sipas drejtimit të tyre, shpejtësisë së bartjes dhe destinacionit.
Përpunimi i dërgesave përveç në pikat e pranimit bëhet edhe në pikat e shpërndarjes dhe dorëzimit të dërgesave postare.
Paketimi i dërgesave postare
Dërguesi është i obliguar që të paketojë dërgesën me qëllim të mbrojtjes së përmbajtjen e saj, dërgesat tjera, pajisjet dhe punëtorët që merren me përpunimin e dërgesave.
Dërguesi është përgjegjës për paketimin dhe ambalazhimin e brendshëm të dërgesave postare.
Ofruesi i shërbimit postar është i detyruar që dërgesën postare ta bartë dhe dorëzojë në gjendjen në të cilën e ka pranuar.
Kushtet dhe metoda e paketimit te dërgesave postare rregullohen sipas termave dhe kushteve të përgjithshme të shërbimit postar.
III. TRANSPORTI I DËRGESAVE POSTARE
Transporti i dërgesave postare nënkupton procesin e bartjes ose transportin e dërgesave postare nga pikat e pranimit të dërgesave deri në pikat e dorëzimit të dërgesës postare.
Ky proces mundë të jetë i veçantë ose i kombinuar me fazat tjera që ndërlidhen me procesin e bartjes së dërgesave postare.
IV. SHPËRNDARJA E DËRGESAVE POSTARE
Shpërndarja e dërgesave postare është Faza IV, dhe nënkupton procesin e shpërndarjes dhe dorëzimit të dërgesave postare nga posta e destinimit tek përdoruesit e shërbimeve postare.
Shpërndarja dhe dorëzimi i dërgesave postare
Dërgesat postare shpërndahen dhe dorëzohen në njërën nga këto adresa të marrësit:
1. në vendbanimin e tij;
2. në ambientet e punës ose të biznesit;
3. në kutinë shtëpiake postare, të vendosur në ambientet përkatëse.
Dërgesat e thjeshta postare mund të dorëzohen përmes kutive shtëpiake postare.
Dërgesat e regjistruara dhe me vlerë të deklaruar i dorëzohen personalisht marrësit në adresën e tij. Nëse kjo nuk është e mundur, një dërgesë postare e regjistruar dhe me vlerë të deklaruar i dorëzohet një anëtari të moshës madhore të familjes, ose personit të autorizuar nga marrësi.
Nëse dorëzimi i dërgesave postare nuk është i mundur për shkak të mungesës së tyre, shpërndarësi lëshon një njoftim duke specifikuar vendin e marrjes dhe afatin kohor, në të cilin këto dërgesa postare mund të tërhiqen.
Dorëzimi i dërgesave postare në adresën e shtëpisë ose në lokalet e çdo personi fizik ose juridik duhet të përfshijë:
1. dorëzimin e një dërgese postare tek marrësi ose ndonjë person tjetër i autorizuar për dorëzimin e dërgesës postare, sipas Ligjit.
2. hedhja në dërgesës postare në kutitë postare shtëpiake ose kutitë e përbashkëta postare për dërgesat e rregullta postare,
3. vendosja e njoftimit (Lajmërimit për arritjen e dërgesës postare) në një kutitë postare shtëpiake ose në kutitë e përbashkëta për dërgesat e regjistruara, dërgesat e siguruara dhe pakot, dhe dërgesat postare të cilat nuk mund të hidhen në kutitë postare shtëpiake ose kutinë e përbashkëta postare për shkak të përmasave ose formave të tyre, nëse dorëzimi nuk mund ti bëhet personalisht marrësit ose ndonjë person tjetër i autorizuar për dorëzimin, sipas Ligjit.
4. dorëzimi tek marrësi ose vendosja e njoftimit (Lajmërimit për arritjen e dërgesës postare) në kutinë postare të shtëpisë ose kutinë e përbashkët postare, për pakot postare në zonat ku nuk është organizuar dorëzimi i pakove.
Përjashtimet nga detyrimi i dorëzimit të dërgesave postare
Ofruesi i shërbimit universal, nuk është i detyruar të realizojë dorëzimin e dërgesave postare sipas mënyrës së parashikuar në nenin 38, të Rregullores për SHU, në adresat e shtëpisë ose ambientet afariste të çdo personi fizik ose juridik, në rastet si në vijim:
1. kur dorëzimi paraqet rrezik për punonjësin dhe të mirat materiale të ofruesit të shërbimit universal;
2. kur nuk ka kuti postare të shtëpisë në adresën apo ambientet e qasjes, ose kutia postare nuk është vendosur në vendin e duhur përkundër paralajmërimit me shkrim si të përcaktuar në nenin 41, të Ligjit;
3. kur adresa në dërgesën postare është një adresë jo ekzistuese ose adresë e pabanuar.
Kutitë shtëpiake postare (Ref. neni 41 i Ligjit),
Kuti shtëpiake postare; - nënkupton kutin postare e cila përdorët për dorëzimin e dërgesave postare marrësit, dhe është e vendosur në hyrje të objekteve shtëpiake, afariste dhe banesore;
Pronari apo administratori i një shtëpie, njësie të banesave apo lokaleve afariste, duhet të siguroj instalimin, etiketimin dhe mirëmbajtjen e kutisë shtëpiake postare në hyrje të shtëpisë, ndërtesës ose lokalit afarist. Shfrytëzuesi i shërbimeve postare të një shtëpie, njësie të banesave apo lokaleve afariste siguron që kutia postare, rregullisht, të zbrazet.
Kutitë shtëpiake postare në ndërtesa shumëkatëshe shënohen me emrin e familjes apo numrin e apartamentit, ose emrin apo numrin e kompanisë. Ato instalohen në katin e parë dhe duhet të kenë qasje të lirë.
Kutitë postare duhet të dizajnohen dhe instalohen në mënyrë të tillë që të mundësojnë shpërndarje të sigurt dhe privatësi të dërgesave postare.
Në rastet e ndërtimit të ndërtesave të reja për qëllime biznesi ose të ndërtesave të banimit, sipërmarrësit ndërtues obligohen të ndërtojnë infrastrukturën për rrjetin postar, duke instaluar kutitë postare.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet shfrytëzuesve dhe ofruesit të shërbimit postar (Ref. neni 50 i Ligjit)
Autoriteti zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ofruesve të shërbimeve postare dhe shfrytëzuesve, kur mosmarrëveshjet e tilla kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Nëse një mosmarrëveshje ndërmjet shfrytëzuesit të shërbimit postar dhe ofruesit të shërbimit postar nuk mund të zgjidhet nëpërmjet procedurave të ankesave (reklamacionit), shfrytëzuesi brenda; pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga marrja e përgjigjes me shkrim nga ofruesi i shërbimit postar, mund të kërkojë me shkrim nga Autoriteti të zgjidhë mosmarrëveshjen.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet ofruesve të shërbimit postar (Ref. neni 50 i Ligjit)
Autoriteti zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ofruesve të shërbimit postar në çështjet që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe të akteve të nxjerra në zbatim të këtij ligji.
Zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet ofruesve të shërbimit postar mund të iniciohet nga vet Autoriteti ose me kërkesën me shkrim të së paku njërit ofrues të shërbimit postar, në përputhje me procedurat e miratuara nga Autoriteti. Autoriteti zgjidhë mosmarrëveshjen në përputhje me parimet dhe objektivat e këtij ligji, si dhe në përputhje me parimet e efikasitetit të kostos, bashkëpunimit, konkurrencës, gatishmërisë dhe barazisë procedurale të palëve të referuara në dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi. ANKESAT Reklamacioni (Ankesat) (Ref. neni 46 i Ligjit) Shfrytëzuesi i shërbimit postar mund të paraqesë ankesë me shkrim ofruesit të shërbimit postar në rast të humbjes së dërgesave postare, tejkalimit të afatit të bartjes - transportit dhe shpërndarjen e dërgesave postare, ose në rastet kur shërbimi postar nuk është realizuar fare, ose nuk është realizuar në mënyrë të plotë, në afat brenda; tre (3) muajve nga dita e depozitimit të dërgesës postare në trafik kombëtar, apo brenda; gjashtë (6) muajve në trafikun ndërkombëtar. Operatori i shërbimit postar duhet të paraqesë përgjigje me shkrim për shërbimin postar brenda; tridhjetë (30) ditëve nga dita e marrjes së reklamacionit në trafik kombëtar, ose brenda; gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e pranimit të reklamacionit në trafikun ndërkombëtar. Në përgjigjen me shkrim të ofruesit të shërbimit postar, shfrytëzuesi i shërbimeve postare ka të drejtë të paraqesë ankesë komisionit për ankesat e konsumatorëve në ofruesin e shërbimit postar brenda; tridhjetë (30) ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim. Komisioni për ankesat e konsumatorëve të shërbimeve postare është i detyruar të paraqesë përgjigje me shkrim për shërbime postare brenda; tridhjetë (30) ditëve nga marrja e ankesës së tij. Konform procedurave ligjore, lidhur me parregullsitë e ndryshme që janë paraqitur gjatë procesit të realizimit të shërbimeve postare, apo keni nevojë për informata shtesë lidhur me shërbimet postare, Ju mund të shfletoni faqen zyrtare; www.arkep-rks.org, ose ti drejtoheni Autoritetit (ARKEP-it), në adresat elektronike si në vijim: E-mail: infoposta@arkep-rks.org ose info@arkep-rks.org